4 premiera botërore ne Auto China 2014

2014-04-23
  • Touareg, teknikisht dhe opsionalisht i rafinuar
  • Golf R 400, koncept-veturë ekstrem sportive
  • New midsize Coupe, koncept-dizajn me katër dyer
  • Golf Edition, koncept-veturë me rastin e 40-të vjetorit të Golf

 Jo më pak se katër vetura të Volkswagen janë duke u prezantuar në Auto China (20-29 prill), që ka filluar para tre ditësh në Bejing. Përveç premierës botërore të Touareg, Volkswagen po i prezanton edhe tre koncept-vetura në tregun e Kinës: veturën ekstrem-sportive Golf R 400, dizajn-konceptin dinamik të New Midsize Coupe dhe Golf Edition me rastin e 40 vjetori të Golf.

Touareg është një ndër modelet SUV më të suksesshme në botë, me më shumë se 720,000 njësi të shitura. Në një premierë botërorë, Volkswagen tani po e prezanton versionin e ri të Touareg në Auto China që po mbahet në Bejing. Gjenerata e re e Touareg mund të dallohet lehtësisht nga stili dinamik i pjesës së përparme dhe të pasme, si dhe ngjyrat e freskëta dhe rrotat. Versioni V6 TDI tani ofron edhe funksione tjera përveç dritave të përparme bi-xenon. Në kombinim me sistemin për radio/navigacion RNS 850 dhe lidhjen për telefon mobil, vozitësit e Touareg tani mund ta përdorin shërbimet telefonike 'online' në Evropë. Versioni i ri i Touareg do të lansohet në tregun gjerman në vjeshtë - me motor me naftë (TDI) dhe si hibrid (TSI plus motor elektrik).

Vetë emri i Golf R 400 i thotë të gjitha: Vetura ekstrem-sportive, e zhvilluar nga Volkswagen R GmbH, e tregon fuqinë e tij prej 400 kuaj fuqive në emrin e tij. E fuqizuar prej motorit 2.0 TSI, gjenet teknike të cilit vijnë nga motori i garave të Polo ËRC, ky Golf e arrin shpejtësinë 100km/h për vetëm 3.9 sekonda. Shpejtësia maksimale është 280 km/h, dhe çifti rrotullues maksimal prej 450 Njuton është në dispozicion duke filluar nga 2.400 rpm. Golf R 400 është perfekt në çdo detaj; motori i tij, vozitja permanente me 4 rrota 4MOTION dhe amortizatorët e tij sportivë, si dhe karroceria e tij që është ridizajnuar në masë të madhe. Golf R 400 është i ngjyrosur me një shtresë të argjendtë, e cila bie në kontrast me çatinë e zezë shkëlqyese dhe pasqyrat me karbon fibra.

Rruga drejt së ardhmes tregohet nga një 'coupe' 4-dyrëshe si asnjë tjetër e klasës së saj - koncept-vetura New Midsize Coupe (NMC). Volkswagen e ka prezantuar këtë veturë në Bejing, duke i kombinuar pamjet e veturës së sallonit dhe asaj sportive. NMC i mbledh bashkë të gjithë komponentët e një dizajni perfekt për 'coupe'. Karroceria e ulët (1,422 mm) dhe e gjerë (1,838 mm) ofron një qendër të ulët të gravitetit. Në të njëjtën kohë, linjat e kofanos së gjatë arrijnë mbi linjën e fortë të çatisë për të formuar një siluetë krejtësisht dinamike. Kjo koncept-veturë është e ngjyrosur me "Të kuqe dragoi", një e kuqe brilante me efekte, që bie në kontrast me elementet e zeza shkëlqyese, siç është sipërfaqja e çatisë me pamjen e integruar panoramike. Pjesa e përparme, me një grilë radiatori avangarde, drita LED me optikë 3D dhe grykë ajri të madhe në pjesën e poshtme të dizajnuar me linja të kromuara shfaqë një dizajn tejet progresiv. Pamja anësore ju jep përshtypjen e një veture sportive, së bashku me rrotat e aluminit prej 20 inçëve me profilin e gomave të ulët 245/40.

Suksesi global dhe 40 vjetori i Golf po festohet me një koncept-veturë ekskluzive: Golf Edition. Kjo koncept-veturë është e pajisur sikur një limuzinë luksoze dhe e veçon veten nga ngjyra ekskluzive "Magic Morning" dhe rrotat e aluminit prej 19-inçëve "Madrid". Ngjyra metalike që ka për bazë ngjyrën e bardhë dallohet nga shkëlqimi special i argjendtë që bëhet i dukshëm vetëm në disa kënde të veçanta shikimi. Interieri i Golf Edition prezantohet me lëkurë dy-ngjyrëshe "St. Tropez", ngjyrë rëre dhe e zezë. Karakteristikat tjera si pjesët me dru në panelet e dyerve, ulëset sportive, materiali luksoz i tapicerisë dhe konzolla qendrore me dizajn 'piano' nënvizojnë ambientin luksoz. Kjo koncept-veturë e nderon Golfin, nga i cili u shitën më shumë se 30 milionë njësi, që e bëjnë atë një ndër veturat më të suksesshme të të gjitha kohërave.

Video

Informoni miqët tuaj në rrjetet sociale: